Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, këtë të enjte ka takuar krerët e Shoqatave të dala nga Lufta në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka thënë se dëshmorët, invalidët, veteranët, familjet e martirëve, të pagjeturit janë dhembja dhe krenaria jonë.
Vizita e Haradinaj në OVL-UÇK vjen pas deklarimeve të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se lista e veteranëve të UÇK-së duhet të ri-dizajnohet dhe se kategoria në fjalë nuk meriton pagën minimale, por shërbim për kontributin e dhënë gjatë luftës.
“Të shfrytëzohen të pavërtetit për të turpëruar të vërtetit, është e papranueshme, është mallkim për brezat”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin e tij social në Facebook kështu duke thumbuar Kurtin.
“Ata janë testamenti ynë, themeli ynë për të ardhmen. E vërteta e kategorive të lirisë është e të gjithë neve. Ata që nuk janë të vërtetë nuk janë të asnjërit prej nesh”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Haradinaj një ditë më parë në një emision televiziv kishte paralajmëruar edhe protesta në rast se Kurti, siç e ka quajtur ai “ofendon veteranët”.