Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka shprehur pakënaqësi me ritmin e punës për rishqyrtimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se procesi po ecën shumë ngadalë.
Në emisionin Five në TV Dukagjini, Gucati ka thënë se, ndonëse grupi punues është formuar edhe në Kuvend, deri më tani nuk sheh angazhim të mjaftueshëm për përfundimin e këtij procesi.
Ai ka theksuar se ende nuk dihet nëse ndryshimet në ligj do të votohen sërish në Kuvend.
“Edhe në Kuvend ky grup është bërë. Dëshira ime është që të punojnë shumë, por po e shoh që shumë ngadalë janë duke punuar. Ligji ende nuk ka kaluar në Parlament, ende nuk është shqyrtuar. Ne nuk e dimë a do të votohet apo jo. Po shpresojmë dhe besojmë”, ka deklaruar Gucati.
Ai ka bërë të ditur se ka vizituar disa nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, për t’i informuar dhe diskutuar me ta edhe për zhvillimet rreth këtij procesi.
t”Unë isha dje në vizitë të Baaci Jakup dhe Pjetër Shala, ndër të martën të Kadri Veseli e të mërkurën te presidenti Thaci dhe te Salih Mustafa , ndërsa me më vonë do të jem te gjenrali Rexhep Selimi. Po kam keqardhje edhe me ata që kam bisderuar që ligji është kthyer në Parlamentt”.
Kreu i OVL-UÇK-së ka shprehur keqardhje edhe për mënyrën se si është kthyer ligji në Kuvend për rishqyrtim, duke thënë se nuk e di se kush ka marrë vendimin dhe me çfarë arsyetimi.
“Nuk e di kush e ka kthyer. Këtë pyetje është mirë t’i drejtohet zyrës së PDK-së, se me çfarë motivi e kthyen në Parlament”, ka thënë Gucati.
Ndryshe, më 6 tetor, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, me nismën e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilat synonin kufizimin e mandatit të Gjykatës Speciale në aspektin kohor, territorial dhe lëndor.
Më 22 tetor, presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim, pas kërkesës së PDK-së, e cila kishte kërkuar rishikimin e dispozitave që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara.
PDK-ja kishte deklaruar se kthimi në Kuvend synonte përmirësimin e dispozitave dhe shmangien e elementeve që mund të pengonin zbatimin e ligjit.
Megjithatë, dy javë pas kthimit të tij, procesi ende nuk ka përfunduar dhe mbetet e paqartë se kur do të shqyrtohet dhe nëse do të marrë sërish mbështetjen e deputetëve.
