Çështja e të drejtave të njeriut në Kupën e Botës së Katarit vazhdon të krijojë debate. Polemika e fundit ka të bëjë me flamurin ylber, një simbol i lëvizjes LGBT.
Ideja është që të mos pranohet në stadiume, sipas gjeneralit Abdulaziz Abdullah al-Ansari, president i Komitetit Kombëtar Kundër Terrorizmit të Ministrisë së Brendshme dhe kreu i sigurisë së Kupës së Botës në Katar.
Duke folur për “Times”, ai nënvizoi: “Nëse një fans ngre flamurin e ylberit dhe unë e heq, nuk është fyerje, por gjest për ta mbrojtur atë. Nëse nuk e bëj unë, dikush tjetër përreth mund ta sulmojë. Nuk mund të garantoj për sjelljen e njerëzve të tjerë.
Unë do t’i them: të lutem, nuk ka nevojë ta ngresh atë flamur këtu në stadium. Ti dëshiron të tregosh mendimin tënd për situatën, bëje në një shoqëri ku do të pranohet”. Pikëpyetja tjetër lind natyrshëm: po me çiftet gay si do të veprohet?
“Të rezervojnë dhomën bashkë, të flenë bashkë, kjo është diçka që nuk na shqetëson, – vazhdon Ansari. – Ne jemi këtu për të menaxhuar turneun. Nuk shkojmë më tej. Këtu nuk mund të ndryshojmë ligjet. Nuk mund të ndryshojmë fenë për Kupën e Botës. Tifozët blejnë bileta për të parë ndeshjen, jo për të ardhur në stadium dhe për të bërë gjeste politik apo për të mbrojtur një ideal”.
Marrëdhëniet e të njëjtit seks janë vepër penale në Katar. Organizatorët e Botërorit, megjithatë, kanë bërë të ditur se çiftet homoseksuale do të jenë të mirëpritur, por jo përkëdheljet apo puthjet në publik. Dhe tani, me sa duket, nuk do të tolerohen as flamujt e tyre.