Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, sot ka vizituar fermerët e fshatit Çabër në Komunën e Zubin Potokut. Gjatë vizitës, Peci ka takuar një fermer të suksesshëm të këtij fshati, Ahmet Uka, i cili është kthyer nga Gjermania për t’u marrë me bujqësi.
Në njoftimin e ministrisë, thuhet se Peci ka parë për së afërmi kushtet në të cilat punojnë fermerët dhe është njoftuar edhe me sfidat me të cilat përballen ata në zhvillimin e veprimtarive bujqësore.
Ministri Peci i ka njoftuar ata edhe për mbështetjen e MBPZhR-së për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, e që sipas tij programet mbështetëse të këtij viti do të ofrojnë mundësi lehtësuese për aplikim për fermerët anë e mbanë vendit e po ashtu edhe për këtë rajon.
“Kjo zonë pothuajse asnjëherë nuk ka patur mundësi të aplikojë për subvencione për shkak të fletës poseduese, mirëpo këtë vit fleta poseduese nuk do të jetë kriter, ndërsa njëra formë e kontrollit dhe monitorimit të parcelave do të realizohet përmes digjitalizimit. Kjo i kontribuon zhvillimit të sektorit të bujqësisë në këtë pjesë veriore të Republikës së Kosovës”, citohet të ketë thënë ministri Peci.
Gjatë kësaj vizite, ministri është takuar edhe me njërin nga fermerët e kësaj zone, Ahmet Uka, i cili ishte kthyer nga Gjermania dhe është treguar mjaft i suksesshëm në zhvillimin e veprimtarive bujqësore.
Në njoftim thuhet se fermeri Uka ka thënë se për herë të parë ka përfituar nga kompensimi i dëmeve në bujqësi një vlerë prej 2200 euro.