Supremja prish dënimin e Adem Grabovcit, rasti “Pronto” kthehet në rigjykim

Supremja prish dënimin e Adem Grabovcit, rasti “Pronto” kthehet në rigjykim

Gjykata Supreme e Kosovës e ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit për aferën e njohur si “Pronto”.

Gjykata e Apelit më 30 qershor 2020 pati ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Pronto” dhe i kishte shpallur fajtorë Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Në vendimin e Supremes thuhet se ky institucion ka aprovuar kërkesat e të akuzuarve për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.

Sipas Supremes, Gjykata e Apelit ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

“Në rigjykim, gjykata e shkallës së dytë duhet të veprojë me vërejtjet e dhëna në këtë aktgjykim, të eliminojë shkeljet e lartcekura edhe një herë t’i vlerësojë pretendimet ankimore dhe pas kësaj të marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo-juridike”, thuhet në aktgjykimin e siguruar nga KOHA.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Related Articles