Shënon rritje edhe çmimi i materialeve ndërtimore

Shënon rritje edhe çmimi i materialeve ndërtimore

Përveç energjisë elektrike, naftës e artikujve të ndryshëm ushqimorë, kohëve të fundit ngritje të theksuar të çmimeve kanë shënuar edhe materialet ndërtimore.

Në Shoqatën e Ndërtimtarëve thonë se pas fillimit të luftës në Ukrainë, çmimi i hekurt është rritur për 45 % e ai i cementit për mbi 60 %.

Sipas ndërtimtarëve, ky shtrenjtim ka kosto dhe po ndikon edhe në ngritjen e çmimit të banesave.

Përveç hekurit, që është shtrenjtuar mjaft shumë, pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, janë ngritur edhe çmimet e materialeve të tjera ndërtimore, tregon Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës së Ndërtimtarëve.

 “Çmimi i cementit, hekurit e drurit ka shënuar ngritje të madhe. Kështu, nëse marrim për bazë si çmim të fundit atë të datës 22 shkurt, shihet se çmimi i hekurti është rritur për 45 %. Çmimi i cementit, në raport me vitin e kaluar është për 64 % më shumë. Edhe te druri, çmimi tash është për rreth 50 % më i lartë. Normalisht, kjo rrit koston dhe po shkakton mjaft telashe”, tha ai.  

Pas shtrenjtimit të çmimeve, Hoxha thotë se ka indikacione edhe për ndërprerjen e punimeve.

 “Ju e dini që punët në ndërtimtari zgjasin edhe me vite. Kështu, kemi kontrata që janë bërë në vitin 2020, kur ta zëmë çmimi i hekurit ka qenë 530 euro për ton, ndërsa tash është 1 mijë e 300 euro për ton. Në këtë situatë, normalisht ose rinegociohen çmimet ose mund të ndërpriten punimet”, pohoi ai.

Tutje, Hoxha thotë se ngritja e çmimeve të materialeve ndërtimore po ndikon edhe në çmimin e banesave dhe objekteve të tjera.

“Nëse, deri para dy muajve në Mat dhe Emshir në Prishtinë, ku është ndërtimi më i koncentruar, ke mund të blesh  metrin katror me rreth 850 euro, si maksimum, tash çmimet me të cilat kanë dalë firmat me ofertë është rreth 1 mijë e 50 euro. Është një rritje gati 30% dhe normalisht që njerëzit ndalen dhe presin”, tha ai për RTK.

Edhe gjatë vitit të kaluar pati ngritje të çmimeve në sektorin e ndërtimit. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2021, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, Indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë shënoi ngritje për 16.0%.

Related Articles