Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka komentuar zgjedhjet e 3 prillit të mbajtura në Serbi, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas saj rezultatet e zgjedhjeve në Serbi, ku Aleksander Vuçiqi fitoi shumicën e votave, u tregua qartë se demokracia është ende destinim i largët për ta.
Kusari-Lila ka thënë se Serbia u rreshtua në anën e Rusisë, që tashmë po legjitimon krime në Bucha që nuk dallojnë, sipas saj, me krimet me Reçakun, Rezallën e Krushën.
“Për referendumin serb ne qëndruam të vendosur në ruajtjen e sovranitetit dhe me një fjalë si deputetë i qëndruam besnik betimit të dhënë. Por, si u mbyll kjo temë u përballëm me një sfidë tjetër që kishte të bënte me zgjedhjet serbe. Në parim e njëjta përgjigja do të duhej të ishte edhe për zgjedhjet. Kosova si një vend me demokraci funksionale ishte e përcaktuar që në bazë të ligjeve të Kosovës të gjendej një zgjidhje. Referencë nuk mund të ishin zgjedhjet e mëparshme. Ndërkohë zhvillime të mëdha lëkundën e Evropën dhe nuk pati si të mos prekej edhe Kosova. Invazioni rus ishte një prej tyre”, theksoi ajo.
Tutje ajo shtoi se “Sikur të mos mjaftonte kjo, ishte edhe mungesa e kërkim faljes nga Serbia. Prej 23 shkurtit, Serbia u rreshtua me Rusinë. Ajo tashmë po legjitimon krimet në Bucha që nuk dallojnë fare me Reçakun, Rezallën, Krushën. Serbia me hegjemoninë e saj nuk e ka qëllim lehtësimin e jetës së pakicave në Kosovë. Sot, kur Rusia po izolohet nga bota demokratike, Qeveria e Serbisë jo vetëm që po mban hapur tokën dhe qiellin, por edhe po krenohet me vëllazërinë ruse. Rezultati në Serbi na tregon se demokracia do të jetë ende një destinim i largët për ta”, ka thënë Kusari-Lila në foltoren e Kuvendit. / Gazeta Enigma.