Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, i ka reaguar Besnik Tahirit, nga AAK-ja, i cili tha se partia në pushtet “e ka marrë Kosovën me çelësa në dorë”.
Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, Pacolli ka shkruar se ‘këta’, siç i quajti ajo, ishin mësuar që të marrin xhipat 00 me çëlësa në dorë dhe të njëjtit t’i shfrytëzonin veç për qejf.
Madje, ajo deklaroi se ata që sot po e kritikojnë Vetëvendosjen shtetin e kanë qeverisur duke e parë vetëm si një veturë që nuk të dhimbset.
“Tha e keni marr Kosovën me çelësa në dorë. Këta janë mësuar që të marrin xhipat 00 me çelësa në dorë e pa dhimtë i kanë shfrytëzuar për qefet e tyre. Kjo tregon që në kohën e tyre shteti ishte veç një veturë që e shfrytëzon pa dhimtë derisa mbetet me shit veç për hekur. Kështu, fatkeqësisht, është qeverisur me Kosovën, shtetin tonë. E tani ne po punojmë intensivisht ta rimëkëmbim duke intervenuar pjesë-pjesë që sa më shpejt ngritim shtetin në këmbë. Nuk e kemi lehtë por nuk dorëzohemi”, ka shkruar Pacolli.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e sotme kërkoi nga qeveria që të lë fjalët dhe t’i kthehet punës.
“E keni marrë Kosovën me çelësa në dorë, ndërkaq ktheheni prapa 20 vjet. Bëni ju cka kemi bërë ne për 20 vjet. Kryeni ju autostradat që janë nisur”./Gazeta Enigma/