Kuvendi Komunal i Preshevës, të hënën, do të mbajë seancë të jashtëzakonshme ku pritet të votohet për shkarkimin e kryetares Ardita Sinani.
Të paktën kështu ka raportuar portali “Presheva.al” të cilët në shkrimin e tyre kanë bashkangjitur edhe ‘aktvendimin mbi shkarkimin e kryetares së komunës së Preshevës’.
Klankosova.tv ka provuar të kontaktojë me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, por e njëjta nuk është përgjigjur as në telefon e as me mesazhe.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Preshevës është thirrur për të hënën në ora 10:00 dhe ka vetëm një pikë të rendit të ditës e që është shqyrtimi i propozimit për shkarkimin e Kryetares së komunës së Preshevës.
“Presheva.al” kishte raportuar edhe më herët se koalicioni aktual në Preshevë është drejt fundit dhe se kryetari i Kuvendit Komunal, Sami Salihu, do të largohet nga ky koalicion pas zgjedhjeve parlamentare ku shqiptarët nuk arritën të sigurojnë asnjë mandat në Kuvendin e Serbisë.
Koaliconi aktual në Preshevë mes LR-së, PVD-së, PDSH-së dhe UDSH-së u arrit më 10 maj 2021 dhe pozita e kryetarit të komunës ishte e ndarë mes PVD-së dhe PDSH-së, ku sipas marrëveshjes në dy vitet e para udhëheq Ardita Sinani, ndërsa dy vitet e fundit Ragmi Mustafa.