Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese njoftoi se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka shkelur Kushtetutën, kur vendosi për organizimin e mësimit në Kamenicë, duke hedhur poshtë atë që ish-kryetari i komunës, Qëndron Kastrati, e quajti reformë.
Rahimaj nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook, ka publikuar disa dokumente nëpërmjet të cilave, siç thotë, dëshmohet se vendimi i Nagavcit, ishte i duhur, pavarësisht se Kushtetuesja e tha fjalën e saj për këtë rast.
“Vendimi nuk kishte asnjë interferim të brendshëm mbi organizimin e sistemit arsimor komunal”, shkruan Rahimaj.
Ai thotë se ish-paraardhësi i tij në komunë, Qëndron Kastrati, kishte shpenzuar shumë para të komunës, ndërkohë që nxënësit kishin humbur shumë orë mësimi.
Rahimaj tha se për shkeljet e tilla të Kastratit janë njoftuar organet e drejtësisë.
“Duke sanuar gjendjen e krijuar brenda Drejtorisë Komunale për Arsim, në pak muaj qeverisje kemi arritur që të kursejmë ose të ulim shpenzimet e pagave për 13 mijë euro për çdo muaj, duke eliminuar orët jo legjitime. Në vitin 2020/21 ishin shpenzuar 240 mijë euro për transport që nuk shfrytëzohej nga nxënësit, ndërsa për vitin 2021/22 kemi ndërprerë këtë kontratë duke kursyer 70 mijë euro buxhetit komunal. Në muajin dhjetor 2021, kemi pranuar një raport 182 faqësh nga Inspektorati Regjional i Arsimit, brenda të cilit janë 194 konstatime dhe 149 rekomandime. 58 pika të këtij raporti, ku janë konstatuar shkelje ligjore janë dorëzuar në organet e drejtësisë. Kjo është pasqyra më e mirë e ish qeverisjes”, theksoi Rahimaj.