SHBA kanë vendosur sot sanksione të ashpra ekonomike ndaj ish-deputetit Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi. Në letrën e bërë publike nga Departamenti amerikan i Thesarit, thuhet se krimi i organizuar mbetet një çështje e rëndësishme në Shqipëri.
Sipas këtij Departamenti, përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese, ata kanë kërcënuar stabilitetin e rajonit.
Departamenti i Thesarit shpjegon se, si rezultat i vendimit të sotëm, të gjitha pronat dhe interesat në pronësinë e individëve ose subjekteve të përcaktuara, që janë në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim, ose kontroll të personave amerikanë duhet të bllokohen dhe të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja.
Kështu, rregulloret ndalojnë të gjitha transaksionet nga personat ose personat amerikanë brenda ose që kalojnë tranzit në Shtetet e Bashkuara, që përfshijnë ndonjë pronë ose interes në pronën e personave të caktuar ose të bllokuar ndryshe.
Ka qenë vetë Ambasada Amerikane në Tiranë që ka publikuar lajmin.
“Sot, Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) përcaktoi shtatë individë dhe një ent në katër vende të Ballkanit Perëndimor, bazuar në Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 14033”, shkruhet në njoftim.
Sipas saj, ky është vendimi i dytë që OFAC-ja ka ndërmarrë dhe që shënjestron persona, të cilët kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese.
“Vendimi i sotëm përforcon përkushtimin e Thesarit për të nxitur llogaridhënien për aktorë të përfshirë në sjellje destabilizuese dhe korruptive në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Arsyet e sanksionimit
Sipas DASH-it, Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri.
Për të, grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike.
Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit.
Në të listohet se ai ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë.
Po ashtu, Ylli Ndroqi është një pronar mediash, pasuritë e të cilit u sekuestruan nga qeveria shqiptare në vitet 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale.
DASH shkruan se Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qenë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media.
Gjithashtu, ai ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri.
“Ndroqi ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete”.
Kështu, ky vendim i bën ata dhe pjestarët e familjes së tyre të ngushtë të pakualifikuar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Persona të tjerë të ndaluar nga Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) janë edhe Asim Sarajlic, deputet në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Gordana Tadiç, e cila ka shërbyer si Kryeprokurore e Prokurorisë së Shtetit të BiH nga viti 2019 deri në 2021.
Nga politika malazeze, SHBA-të kanë ndaluar të hyjë në shtetin amerikan, ish-presidentin Svetozar Maroviç e shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi nga viti 2003 deri në 2006.
Ndalime ka patur edhe në Maqedoninë e Veriut (MV), ku masa janë marrë ndaj ish-kryeministrit të vendit, Nikola Gruevski dhe ish-shefi i kundërzbulimit në MV, Sasho Mijalkov.