Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kërkuar që Kosova të përfshihet në iniciativat rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes, duke shprehur mbështetjen që ajo në të ardhmen të bëhet edhe anëtare e NATO-s.
Deklaratën e bëri të premten në Tiranë, gjatë Konferencës së Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI), ku Shqipëria dhe Italia këtë vit mbajnë bashkëdrejtimin e nismës.
Begaj theksoi se forcimi i sigurisë në rajon kërkon bashkëpunim më gjithëpërfshirës dhe se Kosova duhet të ketë vendin e saj në këto iniciativa.
“Besoj se forcimi i arkitekturës rajonale të sigurisë kërkon një bashkëpunim gjithnjë e më gjithëpërfshirës, ku edhe Kosova duhet të ketë vendin dhe kontributin e saj. Dhe pse jo, një ditë të jetë anëtare e këtyre iniciativave, por edhe anëtare e Aleancës”, deklaroi Begaj.
Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë, por paralajmëroi se stabiliteti në rajon nuk mund të konsiderohet ende i garantuar.
Ai veçoi rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe të misioneve të tjera ndërkombëtare, të cilat kanë rol në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Duke folur për zhvillimet e sigurisë në botë, Begaj iu referua luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se këto zhvillime dëshmojnë brishtësinë e paqes dhe rreziqet me të cilat përballen shtetet.
“Paqja është e brishtë, se kufijtë dhe sovraniteti i shteteve mund të kërcënohen dhe se siguria nuk është një arritje e pakthyeshme”, u shpreh ai.
Sipas Begajt, përveç kërcënimeve tradicionale, vendet po përballen gjithnjë e më shumë edhe me sulme kibernetike, ndërhyrje hibride, dezinformim dhe rreziqe ndaj infrastrukturës kritike.
Në këtë kontekst, ai kërkoi zgjerimin e bashkëpunimit 14-vjeçar në kuadër të DECI-t përmes projekteve konkrete, me fokus në shkëmbimin e teknologjive, modernizimin e kapaciteteve ushtarake, mbrojtjen kibernetike dhe sigurinë detare.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të vendeve anëtare të DECI-t, përfshirë Italinë, Austrinë, Kroacinë, Hungarinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë dhe Slloveninë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, KFOR-it dhe misionit EUFOR në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në përfundim, presidenti shqiptar riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e NATO-s, partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, duke theksuar se ruajtja e paqes kërkon investime dhe përgjegjësi të përbashkëta.
