Një njësi patrulluese e Policisë së Kosovës është sulmuar sërish mëngjesin e sotëm me armë zjarri derisa automjeti i tyre po qarkullonte nga Mitrovica në drejtim të kufirit të Bërnjakut.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zupçe të Zubin Potokut, dhe fatmirësisht përveç dëmeve materiale nuk ka policë të lënduar.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, i cili nuk ka pranuar të flas para kamerës me arsyetimin se ndodhet në pushim, ka bërë të ditur për KosovaPress se incidenti ka ndodhur në orët e mëngjesit në rajonin e Zubin Potokut, duke thënë se nuk i di detajet.
Sipas tij, njësitet përkatëse të policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar hetimet në përpjekje për t’i zbuluar sa më shpejtë autorët.
“Po, është sulmuar automjeti i policisë së Kosovës në mëngjesin e sotëm në rajonin e Zubin Potokut. Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe po zhvillon hetimet. Deri tash nuk kemi ndonjë të arrestuar, por po punojmë në zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti”, ka thënë për KP përmes telefonit togeri Radoviq.
Budimir Rakic, shtëpia e të cilit ndodhet krejt pranë lokacionit ku ka ndodhur incidenti, thotë se ka qenë në Mitrovicë dhe kur është kthyer ka parë pjesëtarë të policisë dhe bllokadë të rrugës.
“Kam qenë në Mitrovicë dhe kur jam kthyer kam parë policinë, bllokimin e rrugës dhe asgjë tjetër nuk kam parë… Nuk është mirë askush të sulmohet”, ka thënë veç tjerash Rakic.
Edhe Marko Vucinic, po ashtu banor i Zupces, tha se nuk ka parë dhe as dëgjuar rreth incidentit, përveç policisë.
“Kam ardhur sot në mëngjes në punë rreth orës 6:30, mirëpo asgjë nuk kemi dëgjuar as unë dhe as banorët e tjerë të këtij fshati. Njësia speciale ROSU ka hyrë këtu dhe kanë bllokuar rrugën… Është e tmerrshme kjo çka po ndodhe muajt e fundit”, theksoi Vuçiniç.
Ndryshe, përgjatë magjistrales Mitrovicë-Bërnjak, sot gjatë ditës situata e përgjithshme vazhdon të jetë e qetë, ndërsa janë vërejtur forca të shtuara të Njësiteve Speciale të Kosovës si dhe automjeteve të tyre.