Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministren e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Irlandës, Helen McEntee, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin.
Kurti ka falënderuar McEntee për ftesën dhe pritjen, ndërsa ka bërë të ditur se kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Irlandës në fushën ekonomike, tregtare, arsimore e kulturore.
“Kënaqësi të takohem me ministren e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Republikës së Irlandës, Helen McEntee, të cilën e falënderova për ftesën dhe pritjen në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin. Biseduam për thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, arsimor e kulturor, posaçërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit, nëpërmjet shtimit të ndërveprimit. Ndërsa shpreha mirënjohjen për ndihmën dhe kontributin e Irlandës për popullin dhe vendin tonë. Vendimi për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të ishte i drejtë e i merituar, dhe Republika jonë llogarit në presidencën irlandeze të Këshillit”, ka shkruar Kurti.
