Villarreali beson se mund ta eliminojnë Liverpoolin

Villarreali beson se mund ta eliminojnë Liverpoolin

Kapiteni i Villarrealit, Dani Parejo, tha të martën se është më se i bindur që ekipi i tij mund të shkaktojë një befasi të radhës dhe ta mund Liverpoolin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Pas eliminimit të Juventusit në 1/8 e finales dhe Bayern Munichut në çerekfinale, Villarreali po kërkon të bëjë një tjetër tronditje duke e mposhtur Liverpoolin, ekip që ka gjashtë tituj të kampionit të Evropës dhe është favorit kryesor për trofeun e këtij edicioni. Villarreali është në vendin e shtatë në La Liga, por ka një aftësi për të befasuar skuadrat më të mëdha të Evropës, pasi gjithashtu mbizotëroi kundër Arsenalit dhe Manchester Unitedit për ta fituar Ligën e Evropës vitin e kaluar.

“Ne kemi besim të plotë se mund të shkaktojmë befasinë e radhës”, tha Parejo në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së parë, që do të luhet të mërkurën në stadiumin “Anfield Road” të mërkurën prej orës 21:00.

“Kur e them këtë bazohem në skuadrat që i kemi mundur, jo vetëm këtë vit, por edhe vitin e kaluar në Ligën e Evropës, për të arritur deri në këtë fazë të Championsit. Ne jemi të qetë dhe gati për këtë duel. Kemi individë të mirë, por forca jonë më e madhe është ekipi. Të mposhtim Juventusin dhe Bayernin ishte shumë e rëndësishme për ne, sepse tregoi se mund të arrijmë një nivel ku mund të konkurrojmë me këto skuadra”.

Me Real Madridin kundër Manchester Cityt në gjysmëfinalen tjetër, Villarreali është pa dyshim autsajderi i fazës gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Këtë e pranoi edhe trajneri i skuadrës, Unai Emery.

“Ne po luajmë me favoritin e këtij edicioni, por duam të jemi ekip i denjë dhe synojmë të tregojmë një paraqitje të mirë që mund të na sigurojë një rezultat të favorshëm”, tha trajneri i Villarrealit, Emery. “Rrugëtimi nuk duhet të përfundojë këtu, ne duam të jemi në finale, të krijojmë shanse. Në kushte normale, Liverpooli është superior ndaj nesh. Por ne kemi idetë tona, individualisht dhe si ekip, për të na lejuar të garojmë”.

Emery tha se Villarreali nuk do të jetë më i panjohur për Liverpoolin, pas fitoreve që i arriti në dy fazat e kaluara, ndaj Juventusit dhe Bayernit.

“Faktori i befasisë rritet edhe më shumë, por nuk besoj se Liverpooli do të na nënçmojë. Kjo ishte më e rëndësishme kundër Juves dhe Bayernit, por nuk do të jetë kështu tani. Liverpooli e di se ne jemi këtu pasi kemi qenë në gjendje të matemi me ekipet e tjera. Për ne kjo do të thotë se sfida është më e madhe deri më tani këtë edicion”, shtoi Emery.

Emery është përballur dy herë me Liverpoolin në stadiumin “Anfield Road” dhe ka humbur në të dy rastet, 5:1 dhe 3:1, kur ishte trajner i Arsenalit.

“Liverpooli ka një identitet shumë të qartë në ‘Anfield Road’ dhe këtë e kemi parasysh”, tha Emery. “Ky është Liverpooli më i mirë që e kam njohur deri më tani. Por këtë e marr si motivim për të luajtur një lojë perfekte dhe për ta mposhtur Liverpoolin në kulmin e formës”.

Emery konfirmoi se sulmuesi i krahut, Yeremy Pino, do të humbë ndeshjen e parë për shkak të lëndimit, ndërsa sulmuesi Gerard Moreno është ende duke u rikuperuar nga lëndimi dhe ka gjasa të mos jetë i gatshëm për lojë.

Related Articles