Andin Hoti, djali i Ukshin Hotit ka treguar se si disa persona nga Serbia i kishin kërkuar 200 mijë euro, kinsë për t’i gjetur babain të gjallë.
Hoti thotë se kjo ngjarje kishte ndodhur në vitin 2020.
“Mua më ka ndodhur më 2020, kur në RTK ishte një lajm kinse Ukshin Hoti, mund të jetë i varrosur në Lubeniq. Përmes Universitetit të Prizrenit më ka kontaktuar dikush prej Serbisë, e fillimisht 200 mijë euro e pastaj 400 mijë euro e kështu me radhë, për me na e dorëzuar të gjallë”, tha Hoti.
Ai thotë se ka grupe kriminale në Serbi që kërkojnë para, duke mashtruar për informacione për të pagjeturit.
“U ndodh shumë familjarëve të tjerë në Kosovë, sidomos moshave të shtyra, nanave e baballarëve që janë në moshë të shtyrë. Ende sot i thërrasin në telefon, tentojnë me forma të tjera…u kanë kërkuar shuma të mëdha parash”, tha Hoti.
Hoti tha se aktualisht 1617 persona janë të zhdukur që nga lufta në Kosovë.