Një efektiv polici i pikës doganore të Goricës në Korçë ka tentuar të vrasë me armën e shërbimit një person pas një sherri mes tyre.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të mundur arrestimin e policit Aldo Braholli gjatë ditës së djeshme, i cili më datë 28 prill është konfliktuar me një person dhe gjatë sherrit ka nxjerrë armën e shërbimit për të qëlluar ndaj tij.
Por, në sherr e sipër, personi me të cilin po konfliktohej Braholli ia ka marrë atij armën duke njoftuar më pas policinë.
“Arrestimi i punonjësit të policisë u krye, pasi më datë 28.04.2022, në gjendje të dehur dhe jashtë detyrës funksionale, është përfshirë në konflikt për motive të dobëta me shtetasin B. D., të cilin ka tentuar ta qëllojë me armën e zjarrit pistoletë, të cilin e disponon si punonjës policie.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se në momentin që punonjësi i policisë i ka drejtuar armën e shërbimit shtetasit B. D., ky i fundit ka mundur ta ndalojë duke i marrë armën nga dora, të cilën më pas e ka dorëzuar pranë shërbimeve të policisë.
Ndaj punonjësit të policisë janë referuar materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 dhe 22 të Kodit Penal”, njofton AMP.