Hoti kritika Kurtit: Projektin e gazit e anuluan, tani po njoftojnë se projekti i baterive u shty deri më 2029

Hoti kritika Kurtit: Projektin e gazit e anuluan, tani po njoftojnë se projekti i baterive u shty deri më 2029

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar politikat energjetike të Qeverisë Kurti, pas njoftimit se projekti për bateritë e ruajtjes së energjisë është shtyrë deri në vitin 2029.

Përmes një reagimi, Hoti ka rikujtuar anulimin e projektit të gazit dhe orientimin e mjeteve drejt blerjes së baterive, duke theksuar se këto të fundit nuk prodhojnë energji, por vetëm e ruajnë atë.

“Pra, nga viti 2021 deri në vitin 2029, tetë vjet për të blerë disa bateri për ruajtjen e energjisë, ndërkohë që nuk kanë krijuar kapacitete të reja për prodhimin e saj”, shkruan Hoti.

Reagimi i tij i plotë:

Projektin e gazit e anuluan. Mjetet i orientuan drejt blerjes së baterive, duke harruar një fakt themelor, bateritë nuk prodhojnë energji, por vetëm e ruajnë atë. Fillimisht duhet ta kesh energjinë për ta ruajtur!

Tani njoftojnë se edhe projekti i baterive është shtyrë deri në vitin 2029.

Pra, nga viti 2021 deri në vitin 2029, tetë vjet për të blerë disa bateri për ruajtjen e energjisë, ndërkohë që nuk kanë krijuar kapacitete të reja për prodhimin e saj.

Tetë vjet pritje, projekte të anuluara dhe energji e paprodhuar. Ky është bilanci i politikës së tyre energjetike!

Related Articles