Kurti pret në takim 50 investitorët gjermanë që po qëndrojnë për vizitë në Kosovë

Kurti pret në takim 50 investitorët gjermanë që po qëndrojnë për vizitë në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me Ministren Artane Rizvanolli dhe Ministren Rozeta Hajdari, kanë pritur në takim 50 investitorët gjermanë, që po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Sipas njoftimit të ZKM-së, Kurti i ka ftuar ata që të investojnë në Kosovë.

“Shpresoj të jeni frymëzuar të investoni në Kosovë dhe ta konsideroni Kosovën si vend për investimin e juaj të radhës. Për më tepër, sot gjatë vizitës në ITP do të takoheni edhe me disa biznese – Start Up-e të tjera për të cilat është kujdesur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ju që dëshironi të investoni jashtë Gjermanisë, e di që duhet pasur parasysh shumë faktorë”, ka thënë Kurti.

Më pas, ai u ka ka folur për arsyet që ata të investojnë në Kosovë.

“Së pari dua t’u tregoj për indikatorët pozitivë ekonomikë, për t’ju siguruar që ia vlen të investoni në Kosovë, dhe se investimi i juaj dhe biznesi juaj, edhe do të këtë sukses edhe do të jetë i qëndrueshëm. Krahasuar me vitin 2020 kemi zyrtarizuar mbi dhjetë mijë vende pune dhe janë hapur mbi 25 mijë vende të reja pune. Rritja jonë ekonomike sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka qenë 10.53% të Bruto Produktit Vendor”, ka deklaruar Kurti.

Kurti u ka thënë investitorëve gjermanë se është goxha i sigurtë që s’ka vend në rajon “që proporcionalisht flitet më shumë gjuha gjermane sesa këtu në Kosovë”.

“Duhet ta bëjmë një studim, por jam goxha i sigurt që nuk ka vend në rajon që proporcionalisht flitet më shumë gjuha gjermane sesa këtu në Kosovë. Mos të flasim pastaj për gjuhën angleze. Përveç ngjashmërisë kulturore, e di që për ju si investitorë potencialë, sidomos sundimi i ligjit dhe stabiliteti institucional dhe politik luajnë rol të madh. Në këtë drejtim dua të theksoj që tani kemi arritur stabilitet në Kosovë si kurrë më parë: Qeveria jonë ka një shumicë parlamentare që bën të mundur reformat në drejtësi dhe ekonomi”, ka deklaruar i pari i Qeverisë.

U ka folur dhe për krijimin e Gjykatës Komerciale.

“Edhe në fusha të tjera të rëndësishme po ecim përpara, si për shembull krijimi i Gjykatës Komerciale – për të menaxhuar në mënyrë të drejtë dhe të paanshme mosmarrëveshjet eventuale të biznesit, dhe për të parandaluar korrupsionin”, u ka thënë Kurti atyre”, ka thënë Kurti para investitorëve.

Related Articles