Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës ka propozuar subvencionimin me 500 euro për nënat/lehonat përfituese të skemës sociale, ka bërë të ditur drejtoresha Adelinë Sahiti.
Propozimi është futur në agjendë për seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Ajo ka thënë se ka marrë përkrahjen e Komitetit për Politika dhe Financa.
Nga 1014 familje që ishin pjesë e një hulumtimi për këtë çështje, 80 për qind kanë deklaruar se kanë të hyra mes 100 dhe 300 euro në muaj, 17 për qind mes 300 dhe 500 dhe pjesa tjetër mbi 500.
“Pra, ky është vetëm një nga argumentet e shumta e që tregon se sa e nevojshme është kjo ndihmë për ta, e cila po realizohet për herë të parë në Komunën e Prishtinës”, ka shkruar Sahiti në një postim në Facebook.
Që nga viti i shkuar Qeveria ka nisur ndarjen e shtesave për lehonat. Lehonat që kanë qenë të papuna në 12 muajt e fundit mbështeten me nga 170 euro në muaj për gjashtë muaj rresht. Ndërkaq lehonat që kanë qenë të punësuara në ndonjërin prej muajve, në 12 muajt e fundit para lindjes, mbështeten me 170 euro në muaj për tre muaj radhazi. / Gazeta Enigma.