Qentë endacakë i kanë shkaktuar një dëm mbi 3 mijë euro Mihrije Mirenës nga fshati Nakaradë e Fushë Kosovës, pasi asaj ia hëngrën mbi 100 pula.
Mirena tha se tash qentë endacakë nuk ia lanë asnjë pulë, me të cilat është marrë tash e dy vjet.
“Qentë endacakë m’i kanë hangër 103 pula. Tash s’e kam më asnjë pulë, ndonëse i kam mbi 2 hektarë tokë e të cilat i kam mbajtur qe pothuajse dy vjet. Jam e papunë, jam marrë me këtë biznes dhe tash kam falimentuar”, është shprehur Mirena për Klankosova.tv.
Ajo tutje tha se rasti është paraqitur në Policinë e Kosovës dhe se bashkëshorti i saj ka qenë në komunën e Fushë Kosovës për të kërkuar kompensimin e dëmit.
Kujtojmë se qentë endacakë në kohët e fundit janë bërë çështje problematike në shumë qytete të Kosovës, e sidomos në kryeqytet ku shumë qytetarë janë sulmuar nga ta.