Shkelje të të gjitha marrëveshjeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi e ka quajtur kryeministrja serbe Ana Bërnabiç aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Një gjë e tillë do të pasojë kundërshtimin e Serbisë me rinisjen e fushatës për çnjohje të Kosovës, u shpreh ajo para gazetarëve gjatë një vizite në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Kjo lëvizje e tyre për aplikimin në Këshill të Evropës është cinizëm kulmor”, u shpreh Bërnabiç.
“Gjithçka do të diskutojmë në seancën e nesërme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, tha ajo kur u pyet se çfarë do të jetë reagimi i Beogradit nga gazetarët.
Njëashtu ka reaguar edhe ministri fashist i Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili tha se në rast të pranimit të Kosovës në KE, Serbia duhet të shpallë neutralitet politik njëjtë sikurse ka shpallur neutralitet ndaj luftës në Ukrainë.
Ajo se çfarë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian mendojnë për Serbinë do të dëshmohet ndaj votës për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, ka thënë ministri i brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin.
Ministri serb tha se me votën pro ose kundër Kosovës do të determinohet, sipas tij, se “a dëshiron BE-ja Serbinë brenda unionit të saj politik”.
“Deri më tani çfarë kemi mësuar është se nënshkrimi i Bashkimit Evropian vlen po aq sa vlen Marrëveshja e Brukselit, por tani e kemi mundësinë të dimë se sa vlen fjala e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Vulin.
Mes tjerash, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës ai e quajti shkelje të Marrëveshjes së Uashingtonit.
“Nëse Kosova anëtarësohet në Këshill të Evropës atëherë Serbia duhet të deklarojë neutralitetin politik siç ka bërë edhe për neutralitetin ndaj luftës”.
“Nëse nuk mund të zgjedhim armiqtë tanë atëherë së paku të zgjedhim miqtë”, ka përfunduar ai, raportoi Danas.