Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka reaguar pas kundërshtimit të marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Botërore e cila u refuzua nga LDK dhe PDK, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Javën që shkoi, në Kuvend për herë të dytë u refuzua marrëveshja ndërkombëtare me Bankën Botërore (ANZh), e cila parasheh mbështetje prej 47 milionë eurove në reformimin dhe zgjerimin e skemës së asistencës sociale”, ka deklaruar Murati.
Tutje ai ka shtuar se “herën e parë, marrëveshjen e kishte kundërshtuar LDK, ndërsa javën që shkoi LDK-së iu bashkua edhe PDK në votimin kundër”.
Sipas Ministrit të Financave, “argumenti i tyre ishte: e kemi parim që nuk duam të marrim kredi për skema sociale dhe për bilanc bankar (mbështetje buxhetore)”.
Bashkë me këtë shkrim Murati ka publikuar edhe një video të ndarë nga seanca e 14 gushtit të vitit 2020.
“Në videon më poshtë, e shkëputur nga seanca e mbajtur me 14 gusht 2020, mund të shihni se Qeveria Hoti, përmes ministres Hykmete Bajrami, kishte sjellë në Kuvend 2 marrëveshje të tilla, si dhe kishte nënshkruar edhe një tjetër me FMN”, ka deklaruar ai.
Marrëveshjet ishin si vijon:
Kredia me Bankën Botërore për dyfishim të skemave sociale: 46 milionë euro,
Kredia me BE për bilanc bankar: 100 milionë euro, dhe
Kredia me FMN për bilanc bankar: 51 milionë euro.
“Pra, Qeveria Hoti kishte nënshkruar gjithsej 197 milionë euro kredi, për skema sociale dhe bilanc bankar, dhe përkundër që kishte votat edhe të PDK-së, nuk arrinin t’i ratifikonin”, ka theksuar Murati.
Tutje ai kujton se Lëvizja Vetëvendosje i kishte lënë anash inatet politike dhe i kishte mbështetur ato marrëveshje.
“Megjithëse kishte vetëm 2 muaj prej kur në mënyrë të paligjshme na e kishin marrë pushtetin, ne si Lëvizje Vetëvendosje kishim lënë inatet politike anash, dhe kishim mbështetur ato marrëveshje, e madje u kishim bërë thirrje edhe grupeve tjera parlamentare që t’i votojnë”, ka shkruar Murati.
Sipas tij e gjithë kjo kishte ndodhur pasi që “bëhej fjalë për mbështetje ndaj qytetarëve në një kohë të vështirë”.
“Kurse tani, të njëjtit që kishin nënshkruar 197 milionë euro për skema sociale e bilanc bankar, po thonë që e kanë qëndrim parimor të mos mbështesin marrëveshje të tilla”.
Murati ka bërë thirrje që të hulumtohet e gjithë kjo si çështje dhe të dihen arsyet e vërteta të këtij kundërshtimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Ju lus që ta shpërndani këtë video, që ta kuptojë secili që LDK e PDK nuk kanë asnjë argument të qëndrueshëm për kundërshtimin e marrëveshjes”, ka thënë ai.
“Gjithashtu, ftoj edhe mediat e gazetarët që të hulumtojnë për arsyen e vërtetë të këtij kundërshtimi të një marrëveshjeje që do të ndihmonte qytetarët, sepse nga video më poshtë, shihet qartë që ky kundërshtim i LDK dhe PDK s’ka të bëjë asgjë me parimet”, ka përfunduar Murati./Gazeta Enigma/