Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Cavusoglu ka deklaruar se Suedia dhe Finlanda duhet të ndalojnë mbështetjen e grupeve terroriste në vendet e tyre, ta heqin ndalimin e eksporteve të Turqisë dhe të ofrojnë garanci të qarta sigurie, nëse duan që shteti turk ta mbështesë anëtarësimin e tyre në NATO.
Këto deklarata ai i bëri pas një takimi me ministra të jashtëm të NATO-s në Berlin, teksa tha se është takuar me homologët e tij suedezë dhe finlandezë dhe se po përpiqeshin t’i përgjigjeshin shqetësimeve të Turqisë, raporton agjencia kroate e lajmeve “Index”.
Tutje, ai tha se Turqia nuk e kërcënon askënd dhe nuk përfiton nga situata aktuale, por që foli veçanërisht për mbështetjen e Suedisë për militantët kurdë PKK – për të cilët Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i konsiderojnë organizatë terroriste.
Finlanda konfirmoi sot se do të aplikojë për anëtarësim në NATO dhe Suedia pritet ta ndjekë shembullin e njëjtë, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
Megjithatë, shqetësimet e Turqisë mund të jenë një pengesë, pasi çdo vendim për t’u anëtarësuar në NATO kërkon miratimin unanim të të 30 vendeve anëtare.
“Këtu duhet të ketë absolutisht garanci sigurie. Ata duhet ta ndalojnë mbështetjen e organizatave terroriste”, u tha Cavusoglu gazetarëve turq në Berlin.
Ministri i Jashtëm turk shtoi se Suedia dhe Finlanda duhet ta heqin ndalimin e eksportit të disa produkteve të industrisë së tyre të mbrojtjes në Turqi.
“Pozicioni ynë është krejtësisht i hapur dhe i qartë. Ky nuk është kërcënim, nuk janë negociata në të cilat ne po përpiqemi t’i imponojmë interesat tona. Ky nuk është as populizëm”, tha ai.
Erdogan befasoi NATO-n
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan befasoi aleatët e NATO-s dhe vendet skandinave të premten kur tha se Turqia nuk mund ta mbështesë zgjerimin pasi Finlanda dhe Suedia janë “shtëpia e një numri organizatash terroriste”, por zëdhënësi i tij tha të shtunën se Turqia nuk i ka mbyllur dyert.
Cavusoglu përsëriti se Turqia, e cila u anëtarësua në NATO 70 vjet më parë, nuk është kundër një politike të dyerve të hapura.
Ai tha se bisedimet me homologët suedezë dhe finlandezë kanë qenë të mira dhe kanë bërë sugjerime për t’i zbutur shqetësimet e Turqisë.
Ministri i Jashtëm turk vuri në dukje se ai u dha atyre “prova se terroristët jetojnë në vendet e tyre”. Cavusoglu përsëriti mosrespektimin e Suedisë për pozicionin e Ankarasë, duke vënë në dukje se takimet e PKK po mbaheshin në Stokholm gjatë fundjavës.