Ngrohja e motit ka nisur popullimin e alpeve shqiptare, kryesisht me turistë të huaj. Shtegu Theth-Valbonë dhe ansajellas është më i preferuari për turistët, të cilët kanë mundësinë të shijojnë edhe dëborën, por edhe rrezet e diellit në mal.
Aq sa e bukur dhe joshëse, aq është edhe e rrezikshme kjo aventurë mes alpeve, nëse nënvlerëson kurthet e natyrës. Jo më larg se disa ditë më parë, një turist nga Zvicra humbi jetën në Qafë Valbonë, pasi refuzoi guidat dhe i besoi instiktit të tij.
Mjafton të ndjekësh një grup turistësh që udhëhiqen nga guidat dhe nuk e ke të vështirë të kuptosh rëndësinë e tyre. Jo vetëm për të zgjedhur shtigjet nga duhet të kalosh, por të orientojnë edhe për mënyrën se si duhet të vendosësh këmbët, mënyrat se si duhet kaluar në vende të caktuara, se si duhet të ruajnë njëri-tjetrin, me qëllimin për të përjetuar vërtetë një eksperiencë të veçantë dhe jo për ta kthyer shëtitjen në një tragjedi.
Edhe vetë turistët, pasi kalojnë shtigjet ku jo në pak raste debora dhe terreni të sfidon, shprehen se këto eksperienca kanë nevojë vërtet për guidat.
Tanimë që ky lloj turizmi në malet e veriut të vendit sa vjen dhe bëhet më i kërkuar, guidat kanë edhe një apel për autoritetet shtetërore: “E kemi shumë të nevojshëm ekipin e shpëtimit. Kur na duhet, vijnë nga Kosova ekipe shpëtimi sepse ne si shtet nuk kemi”.
Një tjetër grup turistësh të huaj, nën udhëheqjen e giudave vendase, përjetuan një eksperiencë të bukur mes alpeve shqiptare dhe përshtypjet janë nga më të mirat.