Konsumimi i drogës dhe shitja e shpërndarja e llojeve të ndryshme të narkotikëve është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet e vendit dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje, gjatë patrullimit në një pikë kontrolli në rrugën “B” në Prishtinë, ku Policia ka ndaluar një të ri, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Njësia policore ia zbuloi të riut drogën edhe pse e kishte fshehur në pjesët intime. Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gjatë kontrollimit, të njëjtit iu gjetën mbi 20 qese me substanca narkotikë dhe një pajisje për matjen e saj.
Për shkak të posedimit të drogës dhe peshores, i riu nuk arriti t’u ikë prangave të Policisë, ku në vendin e ngjarjes u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.
Përveç arrestimit, Policia ka ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore, me ç’rast me urdhër të prokurorit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake është kryer bastisje në një lokacion. Sipas burimeve brenda Prokurorisë bëhet fjalë për shtëpinë e të dyshuarit, e cila u kontrollua nga Njësiti i Antidrogës.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e 21-vjeçarit për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor së bashku me sendet e sekuestruara me rastin e kontrollit policor.