Ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka ftuar që të japë dorëheqje deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri, pasi ky i fundit tha se nëse janë mbledhur dy milionë euro në Fondin e Sigurisë së FSK-së, atëherë do të japë dorëheqje.
Lidhur me këtë, ka reaguar ministri i Financave i cili ia kërkoi dorëheqjen deputetit Tahiri.
“Ai nuk do të duhej të merrej si autoritet, pasi është dëshmuar nga e kaluara se çdo herë ia huq. Kemi parë gjatë fushatave të kaluara, vazhdimisht e pati përmend se janë sekuestruat diku 20 milionë euro, si material apo pasuri, por pastaj pati dalë që as 1 milion, po 300 mijë. Meqënëse mund të thirret në imunitetin e deputetit, pra bën edhe shpifja të tillë”.
“Sa i përket Fondit Sigurisë, ju ftoj që sot të jepni dorëheqje dhe ta shohim a po i qëndroni fjalës. Nuk e them unë sa është, mirëpo nuk është ajo që e thatë ju. Dorëzojeni dorëheqjen së pari. Qëndroni fjalës deri në fund. Mund të iu tregojmë privatisht”, tha Murati në Kuvendin e Kosovës.
Abelard Tahiri sot vendosi një bast me vetveten për Fondin e Sigurisë për FSK-në, të themeluar nga qeveria rreth dy muaj më parë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha në seancën plenare të kuvendit se nëse janë mbledhur mbi dy milionë euro në Fondin e Sigurisë, “do ta lë mandatin e deputetit”.
“Nëse janë dhanë mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë deri sot kur po flasim, unë jap dorëheqje, e lë mandatin e deputetit, sepse ju as 2 milionë euro nuk keni me arritë me i mbledhë. Prandaj, kjo është një marre e madhe e cila iu mbulon juve!”, tha ai.