Prokuroria e Pejës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tre të arrestuarve në rastin ku ndodhi plagosja gjatë ditës së djeshme në Klinë.
Kurse dy të tjerë gjendën duke u trajtuar nën masën mjekësore.
Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar Prokurorja e rastit, Sahide Gashi.
Kurse zëdhënësja e Gjykatës Tringa Zhuti ka konfirmuar se seanca për shqyrtimin e kësaj kërkese do të mbahet sot në ora 19:00 në Gjykatën e Pejës.
Policia e Policia kishte njoftuar të enjten se ka arrestuar pesë të dyshuar në lidhje me incidentin në Klinë ku mbetën të plagosur dy persona.
Sipas njoftimit policor, në rrugën “Abedin Rexha”, në orën 13:40, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe disa persona janë rrahur mes vete, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për rastin, Policia i ka arrestuar pesë persona, përfshirë edhe dy të plagosurit, derisa janë konfiskuar 2 pistoleta, 15 fishekë, 2 gëzhoja, 1 brisk dhe 1 sprej.
Ndaj tyre ishte iniciuar veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “pjesëmarrje në rrahje”, ndërsa janë dërguar në mbajtje.