Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, u shpreh se Qeveria e Kosovës, Asociacionin e komunave me shumicë serbe e sheh si një nga 3 marrëveshjet me Serbinë, shkruan GazetaEnigma.
Në një replikë ndaj deputetet së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshit, i tha se kur tjetërkush e sheh këtë marrëveshje ndryshe apo i jep më shumë rëndësi, “vetëm se dëshmon se ka pritje tjera nga ai instrument sesa ato që kanë qenë fryma gjatë negocimit”. Sipas tij, në Kosovë ushqehet kjo temë.’
“Për neve e gjithë zhurma që është ngritë rreth Asociacionit është artificiale, ndërkaq kur unë du me e ditë se pse Brukseli merret apo alokon më shumë kohë te Asociacioni sesa te marrëveshjet tjera, përgjigja zakonisht është se ‘ju në Kosovë e bëni të tillë sepse juve në Kosovë ju thonë gazetarët, partitë politike, çka ke me bë me Asociacionin, çka ke me bë me Asociacionin dhe pastaj kjo bëhet temë vetëvetiu’. Do të thotë, ndoshta pa qëllim por ne e ushqejmë temën duke u marrë koti me të”, tha Bislimi.
Sipas tij Serbia e ka shumë më të gjatë listën e marrëveshjeve të pazbatuara se Kosova.
Kurse deputetja e PDK-së përsëriti dy herë pyetjen nëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe është kusht për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, Bislimi tha: “Unë e dhashë përgjigjen time”. / GazetaEnigma