Deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot do të mundohen të zgjedhin 5 zëvendës të Avokatit të Popullit, të cilët kanë me mandat 3 vjeçar.
Në mesin e 10 kandidatëve, ligjvënësit duhet të zgjedhin pesë prej tyre.
Kandidatët e propozuar janë: Anita Çavdarbasha, Basri Kastrati, Leutrim Syla, Majlindë Sinani Lulaj, Naile Alaj, Niman Hajdari, Valbona Puka Gola dhe Vjollca Sopi. Ndërsa nga radhët e komuniteteve janë: Marija Radulovic dhe Rialda Kolenovic Ibrahimi.
Kjo pikë e rendit të ditës është e nënta me radhë. Zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit bëhet duke u bazuar në Ligjin Nr. 05/L -019 të datës 28 maj 2015.
Në nenin 5, në pikën 1, flitet për për përbërjen e institucionit të Avokatit të Popullit. Pastaj në pikën 1.1, shkruan se ai përbëhet nga vetë Avokati i Popullit e në pikën 1.2 se ai ka pesë (5) zëvendës.
Shpallja e konkursit për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit, është shpallur në fillim të vitit, përkatësisht me 2 shkurt dhe ka skaduar me 16 shkurt 2022, raporton RTKlive.
Avokati i Popullit zhvillon hetime, jep rekomandime, publikon raporte, si dhe avokon për të drejtat dhe liritë e njeriut, kurse pesë zëvendësit, janë të ndarë në departamente të ndryshme dhe trajtojnë tema në fushëveprimin e caktuar.