Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është duke qëndruar në Kosovë.
Veseli erdhi dje nga Haga ku po mbahej në paraburgim si i dyshuar për krime lufte, pasi gjendja shëndetësore e babait të tij është e rëndë, ndërsa Reporteri.net merr vesh se ish-kryetari do të qëndrojë vetëm tri ditë, në Kosovë.
EULEX dhe Policia e Kosovës janë duke i asistuar zyrtarët e Dhomave të Gjykatës Speciale të cilët po e shoqërojnë Veselin.
Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara ka konfirmuar për Reporterin se Veseli është liruar për arsye familjare, por ka thënë se ai mbetet në paraburgim.
“Për arsye personale Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka udhëzuar zyrën e regjistrimit të menaxhojë një vizitë kujdestare për [Kadri Veselin] në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuar në këtë vizitë”, ka deklaruar Griep.