Këtë të hënë në Kosovë ka mbërritur gazetarja e katërt ukrainase, Daria Meshchriakova.
Lajmin e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me një komunikatë dërguar mediave.
Në komunikatë është bërë e ditur se Meshchriakova është e specializuar për raportim në fushën e sportit, dhe është njohëse e mirë e zhvillimeve në Kosovë dhe rajon.
“Të hënën pasdite ka mbërritur në Kosovë gazetarja, Daria Meshchriakova, e katërta gazetare që sistemohet në kuadër të projektit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”. Zonja Meshchriakova është e specializuar për raportim në fushën e sportit, dhe është njohëse e mirë e zhvillimeve në Kosovë dhe rajon. Në programin e mbështetur financiarisht nga Qeveria e Kosovës, gazetarët që janë detyruar të ikin nga Ukraina përfitojnë pagë mujore, pagesën e qerasë dhe sigurim shëndetësor. Meshchriakova është pritur në aeroport nga kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe përfaqësuesja ligjore e ECPMF, Flutura Kusari, organizata këto implementuese të projektit”, thuhet në njoftimin e AGK-së.