Një qytetar nga Istogu ka lajmëruar policinë, se një person derisa ishte në lëvizje me veturën e tij ka shtënë me armë në drejtim të tij.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ku i njëjti ka thënë se viktima nuk është qëlluar, dhe se të gjitha njësitet policore kanë dalur në vendin e ngjarjes por nuk kanë hasur në gëzhoja plumbash.
“Sot me datë 31.05.22 rreth ores 11 :42 viktima përmes telefonit ka raportuar në polici se derisa ishte duke lëvizur këmbë në rrugën Nënë Tereza në Istog, në afërsi të tregut të gjelbertë, derisa ka kaluar një veturë sipas viktimës dyshohet se një person nga kjo veturë të ketë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij/viktimës. Viktima nuk është qëlluar dhe nuk ka lendime, ne vendngjarja ka dalur te gjitha njesite relevante te policise si dhe hetimet rajonale. Deri tani në vendngjarje nuk është gjetur ndonjë dëshmi dhe nuk dihet çfarë armë mund të jetë përdorur”, tha Gashi.
Zëdhënësi i policisë bëri të ditur se janë intervistuar disa dëshmitarë, dhe po shikohet kamerat vrojtuese në atë zonë.
“Janë duke u analizuar pamjet nga kamerat përreth, dhe janë marrë në pyetje disa dëshmitarë të rastit. Ata janë intervistuar por nuk kanë dëgjuar të shtëna. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe nga i njëjti është udhëzuar të cilësohet rasti shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, përfundoi Gashi