Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës organizoi ceremoninë e nënshkrimit të “Kartës për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme”, mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe komunave: Dragash, Drenas, Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Graçanicë, Hani i Elezit, Junik, Kamenicë, Klinë, Malishevë, Mamushë, Mitrovica e Jugut, Obiliq, Podujevë, Prishtinë, Rahovec, Shtime, Skenderaj, Viti dhe Vushtrri.
“Nevoja për ndryshime transformuese sa vjen e rritet. Na nevojiten vendime e projekte që forcojnë ekonominë tonë dhe mbrojnë mjedisin në të njëjtën kohë. Zhvillim në harmoni me natyrën, e jo në kundërshtim me të”, tha kryeministri Kurti në hapje të kësaj ceremonie.
“Për këtë, nevojitet rritje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme, që u përgjigjet të gjithë qytetarëve, ekonomi e së nesërmes që nuk lë jashtë e prapa gratë dhe vajzat, fëmijët e të moshuarit dhe që është në përputhje me Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbështesë projekte përmes së cilave i bëjmë komunat të qëndrueshme në aspektin mjedisor, e përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve, ndikojmë në përmirësimin e performancës ekonomike dhe nxisim inovacione që krijojnë edhe sektorë të rinj të biznesit edhe vende të reja pune.
Në fjalën e saj, znj.Viola Von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, e përgëzoi Qeverinë dhe komunat për këtë nismë të rëndësishme për Agjendën e Gjelbër.
“Përmes Kartës për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme, Qeveria e Republikës së Kosovës synon të përmirësojë performancën ekonomike, të nxisë inovacione për të krijuar sektorë të rinj biznesi, për t’i bërë komunat tona të qëndrueshme në aspektin mjedisor dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës sonë dhe të brezave që do të vijnë”, tha Qeveria në komunikatën e saj.