Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier është takuar me “Ekipin e Unitetit” që kishte marrë pjesë në bisedimet e Vjenës gjatë viteve 2006-2007.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Hovenier ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për të kaluarën, udhëheqjen e Marti Ahtisaarit dhe arritjet e Kosovës ndër vite.
“Ndërsa kujtuam të kaluarën, udhëheqjen e shkëlqyer të Martti Ahtisaarit dhe arritjet e shumta të Kosovës që atëherë, diskutimet tona u fokusuan në dëshirën tonë të përbashkët që Kosova të realizojë të ardhmen e saj evropiane dhe euroatlantike”, ka shkruar ai.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë është shprehur mirënjohës për pritjen e miqve të vjetër për një darkë ribashkimi të “Ekipit të Unitetit” të Kosovës.
Nga ish-pjesëtarët e “Grupit të Unitetit” janë shumë fytyra të njohura që ende merren me politikë dhe kanë pozita vendimmarrëse.
“Ekipi i Unitetit” në atë kohë negocionte me një palë nga Serbia nën ndërmjetësimin nga “Grupi i Kontaktit” në të cilin bënte pjesë edhe Marti Ahtisaari.
Në to bisedohej për statusin final të Kosovës, por ato dështuan pasi pala serbe nuk pajtohej me propozimet. Këto bisedime i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Kosovë më 2008.
Postimi në Twitter:
(1/2) Grateful to host old friends for a reunion dinner of Kosovo’s “Unity Team,” negotiators at the 2006/2007 Vienna talks. pic.twitter.com/0HXjIqG1en— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) May 31, 2022