Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja vazhdon të ndajë informacione të inteligjencës me Ukrainën, duke mohuar se kjo mbështetje është ndërprerë, raporton BBC.
Trumpi u pyet nga gazetarët për këtë çështje teksa po nisej drejt një tubimi në Alaskë.
“Jo nuk e kemi ndërprerë. Ne po i ndihmojmë dhe po ndajmë informacione të inteligjencës me ta”, tha Trump.
Ai theksoi se dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë, duke bërë të ditur se administrata e tij po punon me të dyja palët për të arritur këtë qëllim.
“Prandaj, po punojmë me ta dhe me Rusinë për t’i dhënë fund luftës”, ka deklaruar Trump.
Të premten, presidenti amerikan njoftoi se presidenti rus, Vladimir Putin, ishte pajtuar të lejonte lirimin e menjëhershëm të 300 mijë tonëve naftë dizel, të cilat, sipas Trumpit, do të hidhen në tregun amerikan dhe atë global.
Trumpi u pyet gjithashtu për shqetësimet e disa republikanëve se Rusia mund t’i përdorë të ardhurat nga kjo marrëveshje për të blerë armë dhe për të vazhduar luftën në Ukrainë.
“Askush nuk më ka thënë asgjë”, u përgjigj ai, duke e përshkruar marrëveshjen si një veprim që synon të ndihmojë në furnizimin e tregut me naftë dizel, në një kohë kur çmimet globale janë të larta.
“Kjo është një marrëveshje për naftën dizel, e cila do të hidhet në tregun botëror, sepse tregu botëror është përballur me çmime të larta”, tha Trump.
