Partia Demokratike e Kosovës dje në një konferencë për media ka akuzuar ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, dhe ministrin Fikrim Damka, se përmes një marrëveshje të lidhur me “Caritas”, kanë keqpërdorur 1.1 milion euro të buxhetit të Kosovës.
Ministria e Zhvillimit Rajonal që drejtohet nga ministri Fikrim Damka dhe vetë Gërvalla kanë reaguar pas denoncimit të PDK-së, duke mohuar akuzat
Ndërkohë lidhur me rastin ka reaguar sot organizata Caritas Kosova me seli qendrore në Ferizaj, duke u distancuar nga një zhvillim i tillë dhe duke sqaruar se ajo s’ka të bëjë fare me një gjë të tillë.
“Ky reagim bëhet për të njoftuar opinionin e gjerë dhe për të qartësuar përdorimin e emrit “Caritas”. Caritas Kosova distancohet nga këto zhvillime dhe nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen në fjalë”, thuhet në reagimin e tyre.
“Caritas Kosova është organizata e vetme e cila njihet nga Kisha Katolike në Kosovë si organizatë humanitare dhe e cila ka legjitimitetin për të vepruar me këtë emër”, sqarohen më tej ata./Gazeta Enigma/