33 mijë fermerë aplikuan për subvencione, Ministria nis ekzekutimin e pagesave

33 mijë fermerë aplikuan për subvencione, Ministria nis ekzekutimin e pagesave

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka vazhduar ekzekutimin e pagesave direkte për fermerët përfitues në kuadër të programit të subvencionimit.

Sipas njoftimit të ministrisë, deri më tani janë ekzekutuar pagesa në vlerë të përgjithshme prej mbi 10.2 milionë eurosh, të ndara në sektorë të ndryshëm të bujqësisë.

Në sektorin e blegtorisë kanë përfituar 1 mijë e 149 fermerë, me një shumë të përgjithshme prej 1 milion e 454 mijë e 290 eurosh.

Ndërkaq, për sipërfaqet bujqësore janë realizuar pagesa për 4 mijë e 475 fermerë, në vlerë prej 7 milionë e 716 mijë e 860 eurosh e 54 centësh.

Pagesa janë ekzekutuar edhe për 153 biznese, të cilat kanë përfituar gjithsej 1 milion e 36 mijë e 387 euro e 50 centë.

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka bërë të ditur se listat e përfituesve janë publikuar në uebfaqen zyrtare të institucionit.

Sipas MBPZhR-së, në këtë proces kanë aplikuar gjithsej 33 mijë e 460 fermerë, ndërsa ekzekutimi i pagesave të tjera po vazhdon.

Ministria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e fermerëve dhe fuqizimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.

Related Articles