Më 7 dhe 8 qershor në Ohër mbahet samiti i radhës i Ballkanit të Hapur.
Në takimin e 7 dhe 8 qershorit në Ohër, përveç Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e Malit të Zi, ndërkaq Kosova ka refuzuar pjesëmarrjen.
Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të obligohen me një marrëveshje të përbashkët për përpjekjet e përbashkëta për të luftuar evazionin fiskal në të tri vendet.
Kështu thuhet në tekstin e Memorandumit të mirëkuptimit, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje dhe të cilin përfaqësuesit e tre vendeve duhet ta nënshkruajnë në qytetin maqedonas të Ohrit, në takimin e nismës “Ballkani i Hapur”.
Krahas kësaj, në Ohër do të nënshkruhet edhe marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, si dhe memorandume për bashkëpunim kulturor dhe në fushën e turizmit.
Në asnjërën prej katër dokumenteve të planifikuara nuk përmendet zgjerimi, por u drejtohet ftesa shteteve tjera të interesuara të bashkëpunojnë në të ardhmen.
Ndërkaq, shteti i Kosovës ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë nismë. Lidhur me këtë ditë më parë në një forum në Sllovaki ka folur kryeministri Albin Kurti.
Kurti në panelin “Tani ose kurrë – Duke zhbllokuar të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor”, në kuadër të Forumit të Bratisllavës GLOBSEC 2022 ka folur edhe për iniciativën “Ballkani i Hapur”, duke thënë se Kosova nuk duhet të hapet ndaj ndërhyrjeve verilindore dhe lindore.
“Ballkani Perëndimor 6 është i hapur për NATO-n, për BE-në, për Mbretërinë e Bashkuar, por nuk besoj që duhet të hapemi për ndonjë ndërhyrje verilindore ose lindore… Ne jemi në rregull me këtë dhe mbështetemi shumë te Procesi i Berlinit 2.0 tashmë, me një nisje të freskët nga kancelari Scholz…”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se nuk i beson atij grupit politikanësh që besojnë te vetëmjaftueshmëria e Ballkanit Perëndimor.
Për nismën “Ballkani i Hapur”, të hënën ka folur edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se Rusia e mbështet iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, për të cilën tha se është nismë e Beogradit.
LEXO EDHE: Lavrov mbështeti “Ballkanin e Hapur”, reagon Haki Abazi
Siç raportuan mediat serbe Lavrov u shpreh se “udhëheqësit e Brukselit nuk donin të konfirmonin qëndrimin e Rusisë për Kosovën dhe BeH, për të shprehur mbështetjen për nismën e Beogradit për Ballkanin e Hapur dhe për të diskutuar interesat për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit”.