Kosova U21 kërkon rezultat pozitiv ndaj Anglisë së kualifikuar

Kosova U21 kërkon rezultat pozitiv ndaj Anglisë së kualifikuar

Pas fitores në udhëtim tek Andorra, te Përfaqësuesja U21 ka optimizëm para ndeshjes me Anglinë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm. Kosova të shtunën e shkuar triumfoi 3:0 ndaj Andorrës, kurse të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” e pret Anglinë, që tashmë ka siguruar kualifikimin në Evropian. Kjo ndeshje nis në orën 20:00 dhe i takon Grupit G kualifikues.

Anglia është e para me 22 pikë dhe pa asnjë humbje në tetë ndeshje të luajtura deri më tani, ndërsa Kosova renditet e treta me 11 pikë. Kosova U21 është stërvitur të mërkurën në qendrën nacionale në Hajvali dhe drejtori teknik i FFK-së, Albert Bunjaki, duelin me Anglinë e ka vlerësuar si të veçantë dhe iu ka bërë thirrje tifozëve për t’i mbushur tribunat e stadiumit pasi hyrja është falas.

“Ndeshja me Anglinë është e veçantë. Është kënaqësi t’i shoh yjet e së ardhmes të Premier Leagues në ‘Fadil Vokrri’, por njëkohësisht edhe lojtarët tanë kanë nevojë për përkrahjen e tifozëve, sepse motivimi është më i madh dhe apeloj te të gjithë sportdashësit që të vijnë ta përkrahin Kombëtaren”, ka thënë Bunjaki për faqen zyrtare të FFK-së. “Më e mira e ndeshjes me Anglinë është se askush nuk beson se ne mund të nxjerrim rezultat pozitiv. Por, ne besojmë se me përgjegjësi e disiplinë në lojën defensive mund t’u sjellim telashe edhe kombëtareve të nivelit të Anglisë. Normalisht se nuk do të jetë e lehtë, sepse niveli i kësaj kombëtareje është krejt tjetër, por neve kjo ndeshje do të na shërbejë si shkollë dhe si vizion për të ardhmen. Pres maksimumin prej secilit lojtar”.

Edhe futbollistët Qëndrim Zyba e Behar Neziri janë shprehur optimistë në prag të ndeshjes me Anglinë. Në duelin e parë të luajtur tek Anglia në këto kualifikime, Kosova pati pësuar humbje me rezultatin 2:0.

“Anglia është një superkombëtare, por ne besojmë se harmonia që kemi në grup të na e sjellë një rezultat pozitiv. Nuk ia kemi frikën kësaj përballjeje, ngase ne duhet ta përfaqësojmë vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pse jo edhe të bëjmë befasi”, ka shtuar mesfushori Zyba, i cili pret përkrahje të madhe nga tribunat.

Ndërkohë, Neziri ka shtuar se triumfi ndaj Andorrës u mundëson që ndaj Anglisë të futen disi më të lehtësuar në fushë. Ai ka thënë se Kosova të paktën do ta kërkojë një barazim nga kjo ndeshje.

“Fitorja me Andorrën na ka mundësuar që të jemi më të çliruar për ndeshjen kundër Anglisë. E dimë që tani kemi përballë një rival shumë të fortë, por edhe ne kemi treguar se kemi potencial. Atmosfera është shumë e mirë, motivi tash është shumë më i madh dhe shpresoj se mund të marrim së paku një pikë”, ka thënë Neziri.

Pas Anglisë, Kosova U21 ndeshjen e fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve e luan në udhëtim te Shqipëria më 13 qershor. Te Kosova synojnë që prej tri ndeshjeve të këtij muaji të paktën t’i marrin tri pikë për t’i mbyllur kualifikimet në pozitën e tretë në grup.

Related Articles