Mbledhja e qeverive Kosovë-Shqipëri mbahet javën e ardhshme në Prishtinë

Mbledhja e qeverive Kosovë-Shqipëri mbahet javën e ardhshme në Prishtinë

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, do të mbahet të hënën e 20 qershorit në Prishtinë.

Kjo është mbledhja e 8-të me radhë e dy qeverive shqiptare dhe në të palët pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje të reja.

Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Marrëveshje që pritet të nënshkruhet do të përfshijnë fushat si ajo e arsimit, drejtësisë, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit, e sigurisë por jo vetëm”, tha ai.

Mbledhja e fundit e qeverive Kosovë-Shqipëri u mbajt më 26 nëntor 2021, e cila përfundoi me firmosjen e 13 marrëveshjeve.

Sipas Kryeziut, këto marrëveshje kanë gjetur zbatim pa problematika, dhe janë arritur rezultatet si në vijim:

Lehtësimi i procedurës për lejeqëndrim 5 vjeçar për shtetasit e të dy vendeve;
Hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash);
Lehtësimi i procedurës për njohjen dhe njësimin reciprok të diplomave;
Ndihma e ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare;
Mbrojtja dhe kujdesi për fëmijët pa përkujdesje prindërore në të dyja vendet
Krijimi i kalendarit të përbashkët Kulturor Vjetor 2021-2022 Shqipëri-Kosovë;
Rritja e nivelit të bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve;
Rritja e nivelit të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë ndërmjet dy vendeve;
Gjithashtu, ai theksoi se janë në proces të zbatimit edhe marrëveshjet e tjera, për të cilat po punohet për aspektet teknike, sikurse janë:

Rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit;
Lehtësimi i procedurave të kalimit të kufirit në pikën Vërmicë-Morinë;
Studimi i fizibilitetit për segmentin hekurudhor Durrës-Prishtinë;
Njohja e ndërsjellë e sigurimeve shoqërore ndërmjet dy vendeve.
Mbledhja e parë e përbashkët u mbajt më 11 janar të vitit 2014 në Prizren dhe drejtohej nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Edi Rama.

Related Articles