​Abdixhiku: Gratë do të kenë hapësirën e plotë në LDK dhe se zëri i tyre do të jetë vendimmarrës

​Abdixhiku: Gratë do të kenë hapësirën e plotë në LDK dhe se zëri i tyre do të jetë vendimmarrës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është zotuar se gratë do të kenë hapësirën e plotë në LDK dhe se zëri i tyre do të jetë vendimmarrës.

Në Kuvendin e Tetë Zgjedhor të Forumit të Gruas – Dega e LDK-së në Viti, kryetari Abdixhiku tha se gratë tradicionalisht kanë qenë shtyllë politike në këtë subjekt politik.

“Gratë tradicionalisht kanë qenë shtyllë e rëndësishme për udhëheqjen e LDK-së dhe historikisht kanë luajtur rol kyç jo vetëm në kuadër të udhëheqjes në strukturat partiake, por ato kanë bartë mbi supe edhe përgjegjësi shtetërore. Gruaja në Lidhjen Demokratike të Kosovës, gjithmonë ka pasur hapësirë dhe fuqi vendimmarrëse, andaj unë si kryetar kam përkushtimin dhe vullnetin maksimal që zëri i juaj të dëgjohet jo vetëm në parti, por edhe në institucionet vendimmarrëse. Në kuadër të ekipit tim, dhe të organeve më të rëndësishme të partisë, kam afruar e angazhuar gra të zonja që kanë përkushtimin, dijen e guximin për t’iu prirë proceseve politike në vend. Lidhja Demokratike e Kosovës, ishte emblema politike që i kishte përbashkuar gratë në kuadër të Forumit të Gruas, për t’i artikuluar të drejtat dhe kërkesat e tyre legjitime politike, për liri e pavarësi”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa, kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Lirie Kajtazi, tha se gratë në LDK kanë hapësirën e duhur politike. Ajo u shpreh edhe falënderuese ndaj grave në Viti.

“Keni bërë një punë fisnike që ka kaluar përtej Vitisë dhe i bën të tjerët të besojnë se Kosova nuk është vetëm në Prishtinë dhe udhëheqja dhe lidershipi nuk janë vetëm në Prishtinë”, tha ajo.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se LDK-ja është akademi e organizimit politik në Kosovë.

“Uroj të vazhdojmë dhe të jemi bashkë me këtë unitet të veprojmë siç kemi vepruar gjithë këto vite. LDK është akademi e organizimit politik në Kosovë, por edhe në Viti”, tha ai.

Kryetare e Degës së Forumit të LDK-së në Viti është zgjedhur Fatbardha Emini.

Related Articles