FC Prishtina dhe portieri Ardit Nika e kanë vazhduar bashkëpunimin edhe për dy vitet e ardhshme.
Në rastin e Nikës “foli zemra” duke nënshkruar kontratë të re me skuadrën e tij të zemrës.
24-vjeçari tash e një vit e gjysmë është pjesë e Prishtinës, skuadër në të cilën është paraqitur edhe vite më parë, në periudha të ndryshme.
Ai me Prishtinën e ka fituar titullin kampion, trofeun e Superkupës ndërkohë që edhe me ekipin e juniorëve e ka fituar titullin kampion.
“Gardiani” kosovar e dhanë një prononcim për FC Prishtina, faqen zyrtare të klubit, ku është shprehur i lumtur me vazhdimin e bashkëpunimit.
Vendimi për të vazhduar me Prishtinën?
– Vendosa që të vazhdoj me Prishtinën për arsye se Prishtina është klubi më i madh në shqiptari. Kjo është zgjedhje shumë e mirë për mua, për të ardhmen pasi që dihet se Prishtina është klub me traditë dhe më i trofeshmi në Kosovë.
Marrëveshja
Kemi rënë dakord për kontratë dy-vjeçare dhe e kemi gjetur një mes të përbashkët që të dyja palët të jemi të kënaqura. Jam shumë i kënaqur me kushtet e ofruara nga klubi.
Puna me trajnerin e ri Ismet Munishi?
– Trajneri Ismet Munishi është trajner i cili të jep vullnet, moral, është i dëshmuar në futbollin e Kosovës edhe si lojtar edhe si trajner dhe shpresoj që së bashku t’i arrijmë objektivat e ekipit.