Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA) ka thënë se nënvizon mbështetjen e çdo iniciative të mirëfilltë që avancon bashkëpunimin rajonal në Ballkan dhe mbështet vlerat liberale siç janë lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve.
Megjithatë, KPA beson fuqimisht se nisma e Ballkanit të Hapur nuk mund të ketë bazë të shëndoshë për aq kohë sa Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe refuzon të pranojë fajin për politikën e vet prej dekadash të represionit dhe krimeve të luftës në Kosovë.
“Nisma e Ballkanit të Hapur nuk bazohet në parimin e barazisë së anëtarëve. Kjo nismë nuk e konsideron Kosovën si shtet të pavarur dhe kërkon të vendosë hegjemoni ekonomike të Serbisë mbi rajonin, të ndërtuar përmes politikave që minojnë stabilitetin afatgjatë dhe demokratizimin e Ballkanit Perëndimor.
Ballkani i Hapur ofron një platformë për Rusinë dhe Kinën që të zgjerojnë ndikimin e tyre keqdashës përmes Serbisë në vendet tjera të rajonit që kanë orientim të fuqishëm pro-perëndimor. Si i tillë, Ballkani i Hapur bie ndesh me përpjekjet e ShBA-së për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha kryetari i Bordit të KPA-së, Dr. Mani Çelaj.
“KPA mirëpret deklaratën e të dërguarit të ShBA-së z. Gabriel Escobar se ‘çdo iniciativë e integrimit ekonomik duhet të përfshijë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si të barabarta’. KPA beson se korniza e vetme për ta arritur këtë integrim ekonomik të barabartë është ajo e Tregut të Përbashkët Rajonal, për të cilën të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord më 2020 në Sofje, e që do të pasohet me një plan ambicioz ekonomik dhe investues prej 30 miliardë eurosh të financuar nga BE-ja dhe që lidhet me perspektivat e anëtarësimit të rajonit në BE”, thuhet në deklaratën e Kongresit Panshqiptar.
“Prandaj, KPA i bën thirrje kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, që të përqendrojë përpjekjet e tij në mbështetje optimale të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe interesave afatgjata kombëtare të Shqipërisë duke punuar me liderët e Kosovës për të forcuar partneritetin mbi vlerat e përbashkëta dhe aspiratat e ardhshme për integrim në BE”.