Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si një ndër prioritetet e qeverisë, ndërsa ka dhënë qëndrimet e saj për pritshmëritë për vendet anëtare të KE-së.
Gërvalla është shprehur për një medium grek, se nuk po detyrojnë askënd që ta votojnë Kosovën për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, megjithatë pohon se po përpiqen t’i bindin ato për ta ndihmuar Kosovën të jetë pjesë e këtij këshilli.
”Ne konsiderojmë se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe për anëtarësim të Kosovës në Këshill është shumë pozitiv për të gjithë, veçanërisht në vendin tonë. Është mirë për shumicën e qytetarëve shqiptarë, por edhe për të gjitha minoritetet, minoritetin serb dhe të gjithë të tjerët, boshnjakët, romët” tha ajo.
Ajo ka folur edhe për pritshmëritë nga Greqia në raport me Kosovën.
”Askush nuk do të dëmtohet nga kërkesa zyrtare e Kosovës për anëtarësim në Këshill. Prandaj besojmë se të gjithë anëtarët e Këshillit të Evropës, pavarësisht nëse na kanë njohur apo jo, do ta shohin këtë mundësi dhe jo vetëm për vendin tonë’’.
”Nëse Kosova ka sukses, e cila mbetet vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që nuk është anëtar i Këshillit, do të jetë një fitore për të gjithë. Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për drejtësinë. Do të jetë fitore për të gjithë në Kosovë, si dhe për stabilitetin e rajonit”.
”Pra, ne nuk po detyrojmë askënd të votojë për ne, por po përpiqemi të bindim të gjithë miqtë tanë dhe vendet e tjera që të na ndihmojnë të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës”.
”Ne besojmë se është diçka që duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë, por tani është koha për ta bërë atë”.