Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë në Ditën Botërore të Refugjatëve.
Lyudmila Makey, Daria Meshcheriakova, Lyudmila Mekh dhe Serhi Shevchenko, janë katër gazetarët ukrainas që aktualisht janë strehuar në Prishtinë.
“Kryeministri Kurti ritheksoi solidaritetin me popullin ukrainas dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak të Federatës Ruse dhe invazionit në Ukrainë. Ai potencoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë globale. Në takimin e përbashkët me Flutura Kusari nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Xhemajl Rexha e Getoarbë Mulliqi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, u fol edhe për mbarëvajtjen e programit Gazetarët në Rezidencë Kosova (Journalists-in-Residence Kosova). Ky program realizohet në sajë të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës “, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.
Programi i financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës mbulon kostot e jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar gazetarëve ukrainas të punojnë nga distanca.