Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, këtë të hënë ka publikuar librin e tij “Përplasja e Madhe”.
Në këtë prezantim kanë marrë pjesë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, por edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, që ishin folës në këtë prezantim.
Ahmeti foli edhe për marrëveshjen Kosovë – Serbi, që sipas tij, duhet një marrëveshje historike sepse siç tha ai, në rajon problemi i Kosovës është i hapur.
Ai tha se përderisa problemi i Kosovës është i hapur, paqja, stabiliteti dhe siguria s’janë në nivelin e duhur.
“Një Evropë me një Ballkan me probleme akoma të pazgjidhura dhe si pasojë e luftës së papërfunduar të parë botërore, sepse të gjitha këto probleme janë probleme të Luftës së Parë Botërore”, është shprehur Ahmeti.
Tutje, ai foli edhe për nismën e “Open Ballkan”, ku takimi i fundit u mbajt në Ohër dhe pjesëmarrës ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai malazez, Dritan Abazoviq dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ai tha se në këtë rast, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk u ndje mirë pasi u bënë tre shqiptarë në tavolinë.
“Aty, shumë hapur u diskutua që t’i mbyllim problemet. Mes nesh e serbëve ka ngjarje e ngjarje dhe s’është temë e lehtë për tu folur. Edhe në libër Enver Hoxhaj e ka ngritur fuqishëm këtë se duhet marrëveshje historike mes palës serbe dhe asaj kosovare, ose duhet të vendoset që të luftohet. Kush është çmimi i një lufte të re dhe çmimi i një marrëveshjeje që duhet arritur mes palëve. Ballkani i Hapur nuk është imponues. Disa marrëveshje i pranon, disa s’i pranon, por ama është iniciativë autoktone dhe të shihet se çfarë mund të arrijmë për të pasur një epilog”, është shprehur Ahmeti, njofotn Klankosova.tv.
Ahmeti tha se ka 20 vjet që flas për pajtimin mes Kosovës e Serbisë, pra, për një marrëveshje historike mes palëve, por në rast se kjo nuk ndodh, Ahmeti tha se duhet menduar edhe lufta, por çmimi do të jetë fatal.
“Kam 20 vjet që flas për pajtimin ose të bëjmë luftë dhe t’i vendosim në peshore”, është shprehur Ahmeti.