Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka reaguar deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se sot flet për Muratin në Skenderaj, Gencin në Gjilan, e Teutën këtu në Prishtinë, që kanë kërkuar të votohet trusti.
Rizvanolli tha se kur të dalin në pension, Genci e Murati nuk do të ketë pension, ndërsa fëmijët e tyre do të detyrohen t’i mbajnë ata në pleqëri.
“Në fund, barrën financiare të këtyre pensionistëve do ta marrë përsipër qeveria ose fëmijët e tyre, të cilët duhet të sakrifikojnë miliona nga buxheti i tyre ose i shtetit, për të mbështetur pensionistët të cilët shndërrohen në raste sociale. Për ta sqaruar këtë në nivelin e diskutimit të Gencit nga Ferizaj e Muratit nga Gjilani, kjo do të thotë që kur të dalin në pension Genci e Murati nuk do të ketë pension, njëjtë si prindërit e Muratit e Gencit, të cilëve ua ka vjedh fondin pensional Serbia. Nërsa fëmijët e Gencit e Muratit kanë me u detyru me i mbajt prindërit e tyre në pleqëri, qoftë në mënyrë direkte qoftë duke paguar taksa më të larta për ta bërë këtë, tha Rizvanolli.