Profesoresha e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës, Vjosa Sadriu – Hamiti, ka bërë të ditur se ishte në garë për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues, por që senati zgjodhi pesë burra, e asnjë grua.
Sadriu – Hamiti përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se ka pasur edhe “përzgjedhje klienteliste”, përcjell Demokracia.com.
“Isha në garë sot për zgjedhjen e 5 anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës. Senati i UP-së zgjodhi 5 burra, asnjë grua. Kjo sa për disbalancin gjjnor. Falënderoj përzemërsisht përkahësit, 12 votuesit e mi. Të tjerëve urime për përzgjedhjen klienteliste, pak a shumë grupore. Të përzgjedhurit e tyre janë shembëlltyra e tyre, çfarëdo që të jetë. Uroj t’u pëlqejë”, ka thënë ajo.
Lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues, ka reaguar edhe drejtori i organizatës Orca, Rron Gjinovci i cili tha se Selim Bezeraj, që u zgjodh si anëtar sot, është plagjiator.
Gjinovci thotë se përveç Bezerajt, anëtar tjetër u zgjodh edhe anëtari i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, Rifat Krasniqi.