Rusia do t’i transferojë sistemet raketore me aftësi bërthamore “Iskander-M” tek aleati i saj Bjellorusia gjatë muajve të ardhshëm, tha të shtunën presidenti rus Vladimir Putin.
Putin i tha presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko në një takim në Shën Petersburg se sistemet e raketave “mund të përdorin si raketa balistike ashtu edhe ato të lundrimit, si në versione konvencionale ashtu edhe ato bërthamore”, sipas Kremlinit.
Rusia nisi pushtimin e saj më 24 shkurt pjesërisht nga territori bjellorus, i cili kufizohet me Ukrainën në veri. Gjatë gjithë luftës, Moska e ka përdorur Minskun si një bazë satelitore, duke përfshirë për shumë prej operacioneve ajrore të Rusisë në Ukrainë, sipas inteligjencës së mbledhur nga aeroplanët e vëzhgimit të NATO-s.
Të shtunën, Ukraina pretendoi se forcat ruse kishin gjuajtur raketa të shumta në rajonet e Kievit, Chernihiv dhe Sumy nga Bjellorusia.
Në një transkript të takimit, Lukashenko i shprehu Putinit “stresin” e tij për ato që ai pretendonte se janë fluturime nga avionët e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që “trajnojnë për të mbajtur koka bërthamore” afër kufirit të Bjellorusisë, raporton CNN.
Ai i kërkoi Putinit të konsideronte “një përgjigje të pasqyruar” ndaj fluturimeve ose të konvertonte avionët luftarakë rusë, të cilët aktualisht janë të vendosur në Bjellorusi, për të “mbartur koka bërthamore”.
Putini u përgjigj se “nuk ka nevojë” të ketë përputhje me fluturimet e SHBA-së dhe sugjeroi se Bjellorusia mund të modifikonte aeroplanët e saj Su-25 për të qenë të aftë për armë bërthamore.
“Ky modernizim duhet të kryhet në fabrikat e avionëve në Rusi, por ne do të pajtohemi me ju se si ta bëjmë këtë. Dhe në përputhje me rrethanat, filloni trajnimin e ekuipazhit të fluturimit”, tha Putin.